NGRITJA E MEKANIZMIT PËR KOORDINIMIN DHE REFERIMIN E RASTEVE TË DHUNËS KUNDËR GRAVE DHE DHUNËS NË FAMILJE NË BASHKINË MALLAKASTËR

Data e Aktivitetit: 
25/10/2017

Më datën 25  tetor 2017, në bashkinë Mallakastër u ngrit “Mekanizmi për Koordinimin dhe Referimin e rasteve të Dhunës Kundër Grave dhe Dhunës në Familje” me mbështetjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim PNUD, me fonde të Qeverisë së Suedisë.

Në këtë kuadër, u zhvillua takimi i parë i Komitetit Drejtues, të cilin e drejtonte Kryetari i bashkisë Mallakastër Z.Agron Kapllanaj.

Takimi u përshëndet nga Z.Agron Kapllanaj, Kryetar i Bashkisë Mallakastër; Zj. Entela Lako, Oficere Programi, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim PNUD dhe Zj.Rezarta Katuci, Oficere Programi, Ambasada Suedeze në Tiranë.

Znj. Jonida Llaka, Koordinatore vendore kundër dhunës në familje, Bashkia Mallakastër dhe Znj. Aurela Bozo, eksperte e UNDP-së kundër dhunës ndaj gruas prezantuan projektin dhe disa nga sfidat në menaxhimin efektiv të rasteve të dhunës në familje si edhe rëndësinë e ofrimit të shërbimeve për viktimat e dhunës në familje në Bashkinë Mallakastër.

Takimi ishte interaktiv me diskutime nga Z.Hekuran Resulaj, përfaqësues i Prefekturës, Z.Ardian Ylli, prokuror i Rrethit Fier, Z.Albert Nushi, Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Z.Perlat Leli, shef i Komisariatit të Policisë Ballsh, përfaqësues të DAR Fier, etj.

Në këtë takim u firmos Marrëveshja e Bashkëpunimit  midis aktoreve lokalë përgjegjës  që zbatojnë ligjin nr.9669, datë 18.12.2006 “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare, i ndryshuar. Kjo marrëveshje bashkëpunimi u firmos nga drejtues dhe përfaqësues të lartë të institucioneve si më poshtë: Kryetari i bashkisë Mallakastër, shefi i Zyrës së Shërbimeve Sociale në këtë bashki, përfaqësues të Prefekturës së qarkut Fier, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, Prokurori i Rrethit Fier, Zyra e përmbarimit Fier, Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Mjeku Ligjor Fier, Shefi i Komisariatit Ballsh, Drejtor i Spitalit Mallakastër, DAR Fier, ZA Mallakastër, Dhoma e Avokatisë Fier, Drejtoria e Shëndetit Publik Mallakastër, Zyra Vendore e Punësimit Mallakastër, Administratorët e njësive administrative, avokatja e projektit dhe psikologia e projektit, etj.

Në ditët në vijim, specialistët e ekipit teknik do të menaxhojnë raste të dhunës në familje, përmes ofrimit të shërbimeve multi-disiplinare për viktimat e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje si shërbime ligjore falas, shërbime psikologjike falas, transport falas dhe të sigurtë, paketa ushqimore për rastet emrgjente të dhunës në familje, etj. Një nga parimet themelore të Mekanizmit të Koordinimit dhe Referimit të rasteve të dhunës në familje është “Viktima në qendër të sistemit”. Shërbimet duhet të jenë të orientuara për nga viktima, nevojat dhe siguria e viktimave duhet të jenë konsiderata parësore.

Bashkia Mallakastër do të punojë në të njëjtën kohë për rritjen e ndërgjegjësimit dhe njohurive të komunitetit mbi dhunën në familje, mjetet ligjore, shërbimet ekzistuese në nivel lokal dhe kombëtar, etj.  Këto aktivitete do të organizohen edhe në kuadrin e fushatës së 16 ditëve të Aktivizimit kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Organizimi i aktiviteteve ndërgjegjësuese pritet të rrisë numrin e rasteve të dhunës në familje të raportuara, të cilat do të menaxhohen nga ekipit teknik multi-disiplinar.

Punë të mbarë Mekanizmit për  Koordinimin dhe Referimin e rasteve të dhunës kundër grave dhe dhunës në familje në bashkinë Mallakastër!

Menaxhim sa më të koordinuar dhe efektiv të rasteve të dhunës në familje!

Foto nga aktiviteti